Monumentet Kulturore

Muzeu Etnografik është një monument i trashëgimisë kulturore në Gjakovë, Kosovë. Ky monument është i kategorisë “Arkitekturor”, i miratuar me numër E.K. 1093/55. Objekti gjendet mu në qendër të qytetit, përballë Kuvendit Komunal në Gjakovë. Është ndërtuar në vitin 1810 nga familja Sina. Shtëpia është ndërtuar në dy etazhe p+1.

Etazhi i përdheses është përdorur si depo, ndërsa pjesa e lartë për banim. Pjesa e banimit ka katër dhoma dhe dy ballkone. Materiali i përdorur është tulla, guri dhe druri. Për vlera të larta dekorative dallohen sidomos dhoma e madhe që gjendet në krahun e majtë të ndërtesës dhe qymlekët me furrat e tyre të cilat gjenden të vendosura në të katër dhomat. Korridori i ndan dhomat nga njëra-tjetra dhe në planimetri paraqitet në formë kryqi. Shtëpia me kohë ka pësuar ndryshime.

Pjesa e përparme ka pasur dy dhoma të miqve dhe stallën me pleme ku është deponuar ushqimi i kafshëve. Po ashtu shtëpia ka pasur shtëpinë e zjarrit në përdhese, ndërsa në kat mbi shtëpinë e zjarrit kanë qenë edhe dy kthina ndihmëse që kanë qenë të vendosura prapa shtëpisë por që sot nuk ekzistojnë. Në vitin 1918 kjo shtëpi është shitur nga pronarët dhe ka kaluar si pronë e Haxhi Osman Boshnjakut, gjersa kuvendi komunal i Gjakovës me anë të një kontrate me pronarët e ka shndërruar atë në muze etnografik duke u mbështetur në vlerat arkitektonike dhe artit popullor të objektit.

Muzeu historik është i vendosur në ish sarajet e kullave te Abdulla Pashë Drenit, ku janë zhvilluar ngjarjet e stuhishme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në këtë qytet forcat e armatosura të Lidhjes së Prizrenit vranë Mehmet Ali Pashë Maxharrin. Ai kishte ardhë me rekomandimet e qeverisë osmane për të bindur krerët e Lidhjes në qytetin e Gjakovës për lëshime territoriale ndaj fqinjëve të vet, sipas vendimeve të Kongresit te Berlinit.

Në fillim ky muze ishte dedikuar si muze Luftës Nacional Clirimtare, ku edhe pjesa dërmuese e eksponateve janë të kësaj periudhe. Momentalisht ky muze nuk është duke funksionuar për arsye se është në renovim e sipër. Ai ka luajtur rol të rëndësishëm në përhapjen e arsimit dhe të kulturës, në studimin, prezentimin vizual dhe popullarizimin e historisë, në njohjën dhe specifikat e zhvillimit të një populli.