Kompleksi Xhamija e Hadumit është një objekt sakral në Gjakovë, Kosovë. Xhamia e Hadumit është një monument i trashëgimisë kulturore. Ky monument është i kategorisë “Arkitekturor”, i miratuar me numër E.K.58/55. Objekti është ndërtuar gjatë sundimit të Perandorisë së Osmanlinjve, në dekadën e fundit të shekullit XVI.
Në defterin zyrtar te Perandorisë të vitit 1571, Gjakova përmendet si fshat, ndërsa tregu i saj konsiderohet si qendër tregtare rajonale. Në atë periudhë, konkretisht në në vitet 1594/1595, Hadum Sylejman Efendia – i njohur si “Hadum Aga”, vendos ta financojë ndërtimin e një xhamie e cila do ta bartte emrin e tij. Pas ndërtimit të xhamisë në territorin e fushës së Jak Vulës, fillon zhvillimi i hovshëm i ekonomisë, pasi zejtarët nisin të vendosen në afërsi të objektit të saj.
Në këtë mënyrë krijohet struktura e kompleksit të Çarshisë së Madhe, e cila më vonë luan rol të jashtëzakonshëm në zhvillimin social, ekonomik dhe kulturor të Gjakovës. Sipas udhëpërshkruesit turk Evlia Çelebi, 70 vjet më vonë rreth fushës së Jak Vulës dhe Xhamisë së Hadumit ishin 2000 shtëpi, disa mesxhide dhe dy xhami monumentale, hane të mbuluara me plumb, hamami i bukur dhe 300 dyqane. Xhamia e Hadumit si ndërtim arkitektural i takon formave klasike të xhamive të grupit të stilit kosovar.
Xhamia është e mbuluar me kube, ka bazë katërkëndëshe kënddrejtë dhe minaren e cila del nga muri jugperëndimor me bazë në formë kënddrejtë. Planimetria dhe skema kompozicionale e saj përbëhet nga këto pjesë: salla e lutjeve, hajati – që zë vend në fasadën veriperëndimore të veprës, dhe minarja. Po ashtu duhet cekur se përreth xhamisë janë varret me nishane, të realizuara në plastikë guri, me gravurë, të mbishkruara në osmanishten e vjetër. Në të kaluarën në këtë pjesë të xhamisë varroseshin anëtarët e familjeve të njohura të Gjakovës.
Në kuadër të kompleksit të xhamisë ishin edhe hamami, i cili nuk ekziston më (2008), Hani i Haraqive (ende ekziston, veçse i adaptuar, i transformuar gjatë kohës), ndërtesa e bibliotekës së vjetër, objekti nga viti 1671 (biblioteka nuk ekziston, u dogj nga forcat serbe gjatë luftës së vitit 1999 dhe në tërësi u rrënua në vitin 2000), si dhe mejtepi nga viti 1777, po ashtu i adaptuar.