Monumentet Kulturore

Objekti i shkollës së parë shqipe është një monument i trashëgimisë kulturore në Prishtinë, Kosovë. Ky monument është i kategorisë “Arkitekturor”, i miratuar me numër të referencës 3194. Ndërtesa e shkollës së parë shqipe gjendet në pjesën perëndimore të qendrës historike të Prishtinës, në trekëndëshin që e formojnë rrugët “Trepça” dhe “Ilir Konushevci”.

Ndërtesa me etazhitet P+1 është ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XIX nga Avdurrahman Pasha, shqiptar nga Prishtina. Në vitin 1880 është djegur, por është rindërtuar prapë nga djemtë e Avdurrahman Pashës. Më 1908, në këtë ndërtesë hapet gjimnazi (Idadije) që kishte rreth 250 nxënës shqiptarë. Pas Luftës së Dytë Botërore një kohë është shfrytëzuar si kazermë e ushtrisë së ish-Jugosllavisë. Ndërsa që një kohë kjo ndërtesë shfrytëzohet për banim nga disa familje.

Ndërtesa ka planimetri përafërsisht katrore, karakteristike për kohën në të cilën është ndërtuar, sepse shkëputet nga tiparet arkitektonike formësuese si dhe nga tipologjia arkitektonike funksionale e ndërtesave të kohës. Baza e përdheses ka një sipërfaqe ndërtimi rreth 290 m² e që së bashku me katin arrin sipërfaqe rreth 580 m², duke mos llogaritur edhe sipërfaqen e bodrumit, i cili nuk është i qasshëm por që supozohet të jetë bazuar në foton e fasadës jugperëndimore. Muret e ndërtesës janë të punuara nga gurët dhe tullat të veshura me suva të cilat i ka degraduar koha.

Konstruksioni meskatësh është i punuar nga druri dhe i mbushur me llaç balte. Nga gjurmët në fasadën verilindore dallohet se dritaret kanë pësuar ndryshime nga gjendja burimore. Në fasadën jugperëndimore janë ruajtur hapjet origjinale. Në fasadë ka gjurmë që tregojnë se dritaret janë përsëritur me ritëm të theksuar.