Monumentet Kulturore

Objekti i shkollës fillore “Elena Gjika” është njëri ndër objektet më të vjetra të ndërtuara në qytetin e Prishtinës dhe që nuk e ka ndërruar destinimin që prej fillimit e deri më sot.

Ndërtesa e shkollës fillore “Elena Gjika” gjendet në këndin që lidh rrugën “Zenel Salihu” dhe rrugën ish “Emin Duraku”, që shtrihen në kufijtë e zonës historike të qytetit të Prishtinës. Shkolla fillore “Elena Gjika” është ndërtuar në fillim të shek. XX me një stil të ndikuar nga arkitektura austro-hungareze. Është ndërtuar në mënyrë tradicionale me sistem të konstruksionit masiv.

Kombinimi i hapjeve katrore dhe harkore në fasadë e bëjnë të veçantë këtë ndërtesë në këtë hapësirë urbane të qytetit. Ndërtesa ka ruajtur masën dhe volumin e saj origjinal, mirëpo me kohë ka pësuar edhe ndryshime: në fasadë është bërë zëvendësimi i dritareve të vjetra me dritare të reja prej materialit të plastikës, të cilat e kanë ruajtur formën dhe ndarjen strukturore të krahëve, si dhe është bërë riparimi i kulmit të ndërtesës.

Ndërtesa i ka ende të ruajtura dekoret plastike në fasadën ballore të saj. Që nga ndërtimi e deri më sot nuk e ka ndryshuar funksionin e saj shkollor.