Monumentet Kulturore

Gërmadhat e Hamamit të Vjetër në Pejë quajtur edhe Hamami i Haxhi Beut janë një monument i trashëgimisë kulturore në Pejë, Kosovë. Ky monument është i kategorisë “Arkeologjik”, i miratuar me numër 02-552/71. Ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XV, është një akt bamirësie (haját) e të quajturit Haxhi Beu. Hamami i Vjetër, Hamami i Haxhi Beut në Pejë ka skemë të plotë funksional dhe ishte aktiv deri në dekaden e pestë të shek. XX.

Banjoja publike e Pejës është “çift “ hamam-asimetrik. Në dallim nga “tek“ hamamet të cilët janë shfrytëzuar nga njerëz të një gjinie ose edhe të dy gjinive (femërore dhe mashkullore) në ditët e ndryshme ose në kohë të ndryshme të ditës, para apo pas dreke, “çift” hamamet ishin në përdorim nga burrat dhe nga gratë në mënyrë të vazhdueshme gjatë tërë ditës.

Hamami i Haxhi Beut në aspektin arkitekturalo-funksional përbënë një skemë të plotë funksionale, meqë posedon të gjitha ambientet e parapara për këso ndërtime të karakterit publiko-shoqëror. Ekzemplari i banjos së qytetit në fjalë, si vepër arkitekturale në sajë të funksioneve që kryen, përbehet nga këto ambiente: ambienti i hyrjes, zhveshjes, përkatësisht pëgatitorës për larje-shatërvani; ambienti ndërmjetës, izolues-kapallëku ; ambienti kryesor i djersitjes, masazhit dhe i larjes-hamamet, banjot ; ambienti i depos së ujit-hazna me furrë-qylhane si dhe kanalet e nën dyshemesë për ngrohjen e mjediseve me gazët e furrës-hipokaustit.

Këto janë pjesët, mjediset kryesore që e karakterizojnë dhe e përbëjnë skemën e plotë funksionale, të këtij hamami klasik si ndërtim publiko-shoqëror, në Pejë. Shikuar si tërësi dhe atë në aspektin e përgjithëshëm, Hamami i Haxhi Beut veçohet me tre volumene kryesore e këto janë : volumi që krijon ambienti i përgatitjes pë larje, ambienti kryesor si dhe ambienti i depos së ujit.