Monumentet Kulturore

Xhamia e Bajraklive është një monument i trashëgimisë kulturore në Pejë, Kosovë. Ky monument është i kategorisë “Arkitekturor”, i miratuar me numër 1441/55. Xhamia Bajrakli është xhami i cili u ndërtua në vitin 1471 nga Sulltan Fatih Mehmet Hani. Në vitin 1943, kjo xhami u dogj nga forcat italiane, sidoqoftë nuk u shkatërrua gjatë luftës së Kosovës.

Në bërthamën e Çarshisë së vjetër në Pejë, ku më parë ishte tregu i hapur, karakteristikë kjo e qyteteve shqiptare, u ndërtua Bajrakli Xhamia. Donator i kësaj xhamie është Mehmet Fatihu i cili e financoi edhe Xhaminë e Madhe në Prishtinë. Xhamia u ndërtua në dekadën e shtatë të shekullit XV. Është objekt klasik monumental me skemë të plotë kompozicionale.

Në skemën e saj xhamia përbëhet nga salla e lutjeve, hajati dhe minarja. Salla e lutjeve mbulohet me kube dhe qëndron mbi sistemin pandantiv. Po ashtu edhe hajati është i mbuluar me tri kube të vogla, proporcionale njëra me tjetrën. Në brendësinë e sallës së lutjeve veçohet mihrabi, mimberi dhe makfilli. Enterieri veçohet me piktura murale, të cilat përmbajnë elemente të botës bimore, figura gjeometrike dhe citate të Kur’anit. Xhamia karakterizohet edhe për plastikën, skulpturën e imët të saj si dhe për profilizime të portalit kryesor dhe të dritareve.

Në kuadër të xhamisë janë edhe varrezat e personaliteteve të njohur të qytetit, ku gjenden edhe varri i Haxhi Zekës dhe ai i Ali Pashë Gucisë. Varret kanë edhe nishane dekorative. Xhamia u dogj nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999. Pas lufte u bë restaurimi i xhamisë në elemente arkitektonike po ashtu edhe në ato të pikturës e skulpturës.